Gruaja sulmohet nga gepardi, shpëton për mrekulli

04/05/2012 17:40

Një grua britanike u sulmua nga dy gepardë në një park natyror të Afrikës së Jugut dhe shpëtoi mrekullisht vetëm sepse ndenji pa lëvizur gjatë tërbimit të grabitqarëve.

60-vjeçarja ndodhej në një park ku turistët kanë mundësinë të afrohen dhe të përkëdhelin kafshët e egra kur ndodhi incidenti. Gruaja nga Aberdini pësoi dëmtime në kokë, stomak dhe në të dyja këmbët, por asnjë nga plagët nuk ishte e rëndë.

“Ishte e tmerrshme. Për një moment po përkëdhelja dy gepardët dhe papritur isha e shtrirë në tokë dhe po ndjeja dhëmbët e tyre në kokë. Ndodhi shumë shpejt. Bëra si e vdekur ndërkohë që po më kafshonin në stomak dhe në këmbë”, shprehet 60-vjeçarja për ‘Daily Mail’.

Pjesa e parkut Kragga Kamma ku turistët mund t’i afrohen kafshëve të egra është mbyllur dhe kanë nisur hetimet mbi incidentin. Në këtë park gjenden rinocerontë, xhirafa, zebra e shumë lloje të tjera kafshësh.

Top Channel