Të paktën 10 persona humbën jetën dhe 20 të tjerë u plagosen pas një shpërthimi në qendër të Damaskut. Raportimet flasin për një kamikaz- terrorist i cili u hodh në erë, pranë xhamisë Midan. Për aktivistët, prapa sulmit fshihet dora e rregjimit.
Ngjarja vjen pas paralajmërimit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun i cili paralajmëroi qeverinë se është në shkelje të plotë me planin e paqes, të mbështetur nga OKB-ja dhe Liga Arabe.
Ban Ki Mun i kërkoi Damaskut të përmbushe dokumentin e paraqitur nga Kofi Anan, pa me të voglën vonesë.Televizioni Shtetëror tha se mes viktimave kishte civilë dhe pjesëtarë të Forcave të Sigurisë dhe shpërthimi ndodhi ndërsa besimtarët po largoheshin nga xhamia Zain Al Abidin, pas lutjes së të premtes.
Përmes një deklarate, Ministria e Brendshme tha se do të luftojë me grusht të fortë të gjithë ata që terrorizojnë qytetarët.
Midani ka qënë skenë e protestave të shpeshte anti-qeveritare. Një shpërthim në të njëjtën lagje në muajin janar vrau 26 persona dhe plagosi 63 të tjerë.
Të premten në të gjithë Sirinë, humbën jetën edhe 3 persona të tjerë. Shtetet e Bashkuara shprehën zhgënjimin për veprimet e qeverisë, e cila aprovoi planin e paqes më 12 prill.
Nga ana tjetër qarkullojnë pamje ku duken kryengritësit sirianë me armë, duke u betuar për Ushtrinë e Lirë Siriane në provincën veriore të Idlibit.
Top Channel