Qeveria e Rumanisë ka rënë nga pushteti pasi nuk i ka mbijetuar dot një votëbesimi të mbajtur vetëm dy muaj pasi kishte marrë detyrën.
Votëbesimi u kërkua nga opozita, pas irritimit të popullsisë për masat anti-krizë të kryeministrit në ikje Mihai Razvan Ungureanu.
Koalicioni i qendrës së djathtë kishte shkurtuar rrogat dhe kishte ngritur taksat, në përpjekje për të vendosur ekonominë në një terren më të sigurtë.
Ndërkohë, presidenti Traian Basescu ka emëruar kreun e opozitës Victor Ponta si kryeministrin e ri, të cilit do t’i duhet të marrë miratimin e Parlamentit.
“Kam ngarkuar zotin Ponta me detyrën për të nisur konsultimet për formimin e qeverisë së re”, ka njoftuar presidenti përmes një komunikate për shtyp.
Ndërsa vetë Ponta, më herët mirëpriti votëbesimin duke thënë se ai shënoi fundin e një sistemi abuziv që përdorte çdo armë për të arritur qëllimin. “Sot u vendos drejtësia”, dkelaroi ai.
Nëse ligjvënësit nuk do të mund të arrijnë një marrëveshje për kryeministrin e ri, atëherë zgjedhjet parlamentare të parashikuara në nëntor do të mund të afrohen.
Top Channel