Produkte vendi apo të importuara

26/04/2012 20:10

Produkte vendi apo të importuara? Ja çfarë preferojnë shqiptarët të konsumojnë dhe të kenë në tryezat e tyre.

“Të vendit janë më të mira dhe më të ushqyeshme…”
“Të vendit janë më të lira dhe më të mira…”
“Ne jemi rritur me produktet e vendit dhe nuk na pëlqejnë produktet e importuara, nuk kanë shije…”

Të gjendur mes kësaj dileme tregtarët zgjedhin të tregtojnë në tezgat e tyre mallrat e importuara, të cilat i blejnë edhe me çmime më të lira: “Të themi të vërtetën mallrat që vijnë nga jashtë janë më të lira se sa produkti i vendit, por ndonjëherë detyrohemi t’i marrim edhe për shkak të konsumatorit të cilët i shohin të bukura nga jashtë dhe i blejnë.”

Na pëlqen të ushqehemi shëndetshëm dhe të shpenzojmë pak, por jo gjithmonë arrijmë të gjejmë dhe të dallojmë se cilat janë frutat dhe perimet më të freskëta. Jemi në fillimin e sezonit kur fshatarët marrin prodhimet e punës së tyre, jemi në kohën kur zarzavatet mund t’i gjejmë të freskëta dhe me çmime të lira.

E megjithatë, mbetemi mes dy zgjedhjesh. Ka nga ata që preferojnë të shpenzojnë pak më shumë vetëm e vetëm për të blerë produktet që vijnë nga fshati. Janë të shumtë edhe ata konsumatorë që nuk ngurojnë të pyesin se cilës zonë i përket domatja, patatja, molla apo sallata jeshile.

Agrikultura në BE

Bujqësia, blegtoria dhe fermeri jaë tre hallka të rëndësishme në funksionimin e Bashkimit Europian. Ende dhe sot Franca dhe Gjermania janë dy nga vendet më të rëndësishme në kultivimin e bimëve dhe prodhimin e bulmetit.

Në Francë ka rreth 730.000 ferma, ku janë punësuar rreth 7% e popullsisë. Kurse në Gjermani, mbi 80% e tokës është përdorur për pyjet dhe bujqësinë. Por cili është roli i fermerit dhe rëndësia që ai ka?

Në fillimet e Tregut të Përbashkët Europian, një fermer prodhonte ushqim për 10 persona, kurse pas vitit 1996 një fermer i vetëm arrin të prodhojë ushqim për 108 persona.

Traktati i Romës në 1957-ën themeloi Tregun e Përbashkët dhe lëvizjen e lirë të mallrave në vendet e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të publikuara, bujqësia dhe blegtoria e përbashkët në BE ka përfaqësuar rreth 47% të buxhetit. Sot janë nënshkruar marrëveshje të shumta mes shteteve të ndryshme, të cilat venë në qendër rëndësinë e fermerit.

Megjithatë në këto vitet e fundit, numri i njerëzve që duan të punojnë në ferma është duke u ulur ndjeshëm, por qëllimi dhe synimi i përbashkët është që fermerët të sigurojnë standarde dhe prodhime cilësore për të gjithë konsumatorët.

Top Channel