Një “Facebook” për terroristët

26/04/2012 17:10

Gjigantët e teknologjisë dhe internetit, “Google”, janë bërë pjesë e një projekti që mbështet krijimin e një rrjeti shoqëror për ish-terroristë dhe viktimat e tyre.

Ishte vetë “Google” ai që prezantoi projektin ditën e enjte, duke pretenduar se nisma do të shërbejë për të luftuar përhapjen e ekstremizmit dhe për të ndërgjegjësuar njerëzit se gjithçka mund të zgjidhet nëpërmjet komunikimit.

Kompanisë me më shumë klikime në botë i lindi kjo ide pasi disa përdorues së saj e parashtruan atë në forume të ndryshme të bisedimeve në motorin e kërkimit.

Projekti do të shërbejë për të lidhur viktimat me terroristë të penduar, në mënyrë që të përballë këndvështrimin njerëzor të sulmeve të dhunshme të ndërmarra me këndvështrimin e agresorëve, të motivuar shpesh nga ideale politike apo fetare.

Sasha Havlicek, shefja ekzekutive e Institutit të Dialogut Strategjik u shpreh se: “Qëllimi është krijimi i një lëvizje globale kundër ekstremizmit. Ky do të jetë një rrjet i rëndësishëm për të përballur njerëz me pikëpamje krejtësisht të ndryshme në të gjithë botën”.

Nga ana e tij, Robert Orell, një ish-neonazist suedez, i cili tashmë punon si drejtor i grupit kundër neonazismit, deklaroi: “Mua më ka shërbyer shumë debati për të kuptuar rrugën e duhur. Jam i sigurt se ky rrjet shoqëror do të ketë efekte të shkëlqyera”.

Top Channel