Gjalp, djath dhe gjizë. Janë këto produktet që prodhon një nga baxhoxhinjtë më të vjetër në qytetin e Korçës. Quhet Agim Orhan dhe çdo moment të ditës ia kushton punishtes dhe pasionit të tij në përpunimin e qumështit.

Duke u rikthyer pas në kohë, ai rikujton fillesat dhe rastësinë që e shtyu të përfshihej në këtë zanat: “Unë kisha 4 lopë dhe kisha shumë prodhim qumështi, u lidha me një baxhoxhi të vjetër, çoban nga Dishnica dhe më tha: Agim, më mirë përpunoje se është fitimprurës, futju kësaj pune!”

Por sa e vështirë është të ndjekësh hap pas hapi çdo proces, të kujdesesh që qumështi të mos prishet dhe mbi të gjitha bulmeti që hamë të jetë i shijshëm dhe i ushqyeshëm?

“Qumështin e grumbulloj nga blektorët, nga zona e Korçës dhe e Bilishtit, pastaj kalon në ziersa, filtra, dublifikatorë, në ftohje. Po bëj 20 vjet me këtë aktivitet dhe jam shumë i kënaqur, është shumë i mirë dhe shumë i lehtë”, tregon Agimi.

Një sukseset më të madha të Agimit është përfshirja e dy djemve të tij në punishte. Ky zanat është kthyer në një traditë familjare që ndoshta do të vazhdojë edhe nga brezat pasardhës.

“Punoj me babanë dhe me vëllanë. Duke punuar ka filluar të na pëlqejë”, tregon djali.

Gerardi, djali i madh i familjes, është rritur duke parë si prodhohet djathi dhe duke mos i munguar kurrë mes ushqimeve që konsumon gjatë ditës. Për të kjo është një arsye më shumë që e shtyn të angazhohet dhe të ndihmojë babain e tij në prodhimin e bulmetit.

“Djathi është ushqim i përditshëm në çdo tryezë dhe në çdo familje. Është kënaqësi për mua të prodhoj djathë”, shprehet djali i madh.

Një nga vajzat e reja, por me shumë dëshirë për të qenë pjesë e një punishteje qumështi thotë se të gjithë ne, kur duam të hamë diçka të shpejtë dhe të shëndetshme, kemi gjithmonë një zgjidhje: bukë me gjalpë dhe djath!

Kështu ka nisur rruga e një familjeje me tradita që ka hedhur rrënjët e para të sigurta në prodhimin e bulmetit.

Top Channel