Korçë, si shkon dëm mundi i fermerëve

26/04/2012 19:45

Sapo hyn në fshatin Orhan të Korçës kudo ndjehet aroma e pakëndshme e prodhimeve të kalbura të fshatarëve.

Kjo është historia e familjes Rungollari. Ata kanë punuar gjatë gjithë vitit për të mbjellë, ujitur dhe prashitur prodhimet e tyre që kishin destinacion tryezat dhe shtëpitë e shqiptarëve. Por, i gjithë mundi i tyre shkoi kot. Ja çfarë na tregon Agroni, kryefamiljari që çdo ditë përpiqet të gjejë një zgjidhje për të shtyrë ditët njëra pas tjetrës: “Prodhimi ikën falas, me 80 lekë, me 90 lekë… Farat janë shumë shtrenjtë, ne punojmë kot për hesapin tonë. Punojmë ditë e natë, pa pushim.”

Nuk mundën të shisnin asnjë kilogramë, të gjithë ata që i premtuan se do t’ia blinin prodhimet, i gënjyen. Qepët, patatet, mollët, gjithçka ka përfunduar në lumin Devoll. Kështu tregon Delina, nëna e dy djemve, që së bashku me to dhe të atin shkojnë për çdo ditë në arë: “Kemi humbur 8 milion lekë, kemi hedhur dhe vazhdojmë të hedhim, nuk ka ngelur asgjë.”

Pavarësisht lodhjes, punës së përditshme dhe blerjes së farës ata marrin parasysh edhe rrezikun.

“Djalit iu mblodh gjarpri në këmbë”, tregon gruaja.

Mateo është djali i vogël, i cili herë herë ka lënë edhe shkollën për të punuar në arë dhe tani që të mbjellat e tyre nuk shiten gjithçka i duket ndryshe, një pjesë e tij përfundoi në lumë bashkë me qepët dhe patatet.

“Nuk shiten dhe më vjen shumë keq se jemi munduar gjatë gjithë verës, kemi punuar bashkë me vëllain e madh, por ç’të bëjmë”, thotë Mateo.

Por si për ironi të fatit ata detyrohen sërish të mbjellin. Ata rrezikojnë! Por përse vazhdojnë të mbjellin dhe të kujdesen për tokën?

“Po çfarë të bëjmë, ku të shkojmë, kjo është rrugëzgjidhja e vetme”, përgjigjet Agroni.

Por kjo nuk është familja e vetme. Të gjithë banorët e fshatit gjenden në këtë situatë të vështirë, që nga fëmijët e deri tek pleqtë.

“Qepa dhe patatja është baza në këtë vend. Po nuk punove, nuk ke çfarë të hash.”

“Fusha e sportit është kthyer në fushë qepësh. Edhe lumi është mbushur plot me mbeturina qepësh, nuk kemi ku t’i çojmë.”

“Na ka ngelur vetëm të mbjellim hashash, nuk kemi cfarë të bëjmë tjetër.“

Këto janë vështirësitë e një krahine të tërë të revoltuar dhe të pakënaqur nga surprizat e hidhura që i ka rezervuar jeta.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel