SHBA, burri vritet nga sulmi i mjellmës

18/04/2012 11:10

Anthony Hensley, 37-vjeçar dhe baba i dy fëmijëve, ndërroi jetë pasi u sulmua nga një mjellmë të shtunën e kaluar në Chicago (SHBA).

Anthony ishte duke vozituar me kajak në një liqen të kompleksit rezidencial Des Planines, kur një mjellmë e sulmoi duke e hedhur në ujë. Në momentin që fatkeqi po tentonte të arrinte bregun me not mjellma e pengoi.

Sherifi Tom Dart, i cili po merret me hetimin e çështjes, theksoi: “Jam i habitur. Ky është nga ato raste kur thuhet “Tani i kam parë të gjitha”. E pabesueshme.”

Edhe pse duket diçka e pamundur që një mjellmë të vrasë një njeri, ornitologët kanë një shpjegim për këtë. Sipas Chris Perrins, një profesor i Oksfordit, reagimi agresiv është diçka tipike tek disa lloje mjellmash.

“Ka shumë mundësi të ketë qenë një mashkull që po vendosej në atë zonë për të kaluar pranverën dhe ka dashur të mbrojë territorin”, shpjegon Perrins.

Top Channel