Optimizmi largon rrezikun e infarktit

18/04/2012 10:35

Optimizmi në jetë ndihmon në ruajtjen e zemrës nga infarkti. Sipas shkencëtarëve të Harvardit, njerëzit optimistë kanë 50% më pak mundësi për t’u prekur nga sëmundjet e zemrës.

Studime të mëparshme kanë dalë në përfundim se gjendja e depresionit, zemërimit apo ankthit mund të dëmtojnë seriozisht shëndetin kardio-vaskular, ndërsa në studimin e fundit kërkuesit kanë treguar se psikologjia pozitive e ndihmon jetëgjatësinë e njeriut.

Udhëheqësja e studimit Julia Boehm thotë për ‘Daily Mail’: “Optimizmi, kënaqësia në jetë dhe lumturia janë të lidhura me uljen e rrezikut për prekjen nga sëmundjet kardiovaskulare pavarësisht nga mosha e një personi, statusi social-ekonomik apo peha.”

Për të dalë në këtë përfundim janë studiuar edhe një herë më shumë se 200 studime shkencore dhe të dhëna mbi faktorët që ndikojnë në sëmundjet e zemrës.

Nga studimi u gjet se personat optimistë kishin sjellje më të “shëndetshme” si stërvitja, ngrënia e ushqimeve pa e kaluar cakun dhe fjetja e mjaftueshme.

Top Channel