Përfundon prodhimi i “makinës së komunizmit”

17/04/2012 16:55

Pas më shumë se 40 vitesh prodhim, Rusia ka vendosur të ndërpresë prodhimin e makinës që u bë simbol i komunizmit në të gjithë bllokun lindor, modelin e famshëm të “Lada”-s.

E prodhuar në fillimin e viteve 1970, autovetura “luksoze” për kohën u bë shpejt e njohur për defektet e shumta, por edhe për fortësinë e koston e ulët, që e shndërruan në një zgjedhje tepër popullore.

Në fakt, për shumë vite, ajo ishte e vetmja zgjedhje që i ofrohej më shumë se 300 milionë banorëve të Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera komuniste.

Kërkesa vazhdoi të ishte e lartë deri në vitet e fundit, por e konkurruar nga makina të tjera ekonomike dhe modelet e reja të “Lada”-s, më në fund, kompania që e prodhon, “AvtoVAZ”, vendosi të ndërpriste përgjithmonë linjën klasike të makinës.

”Modeli klasik ka shënuar emrin e një epoke, por tashmë kërkesa për të ka pësuar një rënie drastike dhe “LADA” duhet të shohë drejt të ardhmes”, deklaroi Igor Burenkov, drejtori i përgjithshëm i shtëpisë automobilistike ruse.

Në total, më shumë se 20 milionë makina klasike u prodhuan, duke e shndërruar “Lada”-n klasike në një prej makinave më të numërta në botë. Shumë prej tyre, vazhdojnë ende të qarkullojnë në rrugët e Rusisë.

Top Channel