Ndërron statusin në beqar, e dashura i shkatërron makinën

12/04/2012 17:40

Një 31-vjeçare xheloze i shkatërroi makinën të dashurit të saj, pasi ai ndërroi statusin nga “në një lidhje” në “beqar”, në rrjetin shoqëror “Facebook”.

Claire Holley, e tërbuar nga zemërimi kur pa ndryshimi e realizuar nga njeriu i saj i zemrës në Britani, mori çelësat e “Ford Focus” së partnerit dhe duke e drejtuar vetë, e përplasi atë me shpejtësi të lartë në dyert e një qëndre bulingu, ku djali ishte i punësuar.

Ngjarja ndodhi në Bolton, në metropolin e Mançesterit. Për fat të mirë, askush nuk ndodhej në hyrjen e qendrës sportive ndërsa Holley nuk pësoi dëmtime nga aksidenti.

Megjithatë, makina është praktikisht e papërdorshme, ndërsa dëmi i shkaktuar ndaj qendës së bulingut vlerësohet në 14 mijë paund.

Në një proces gjyqësor rekord, 31-vjeçarja pranoi akuzat dhe u dënua me nëntë muaj heqje lirie dhe pezullim patente për dy vjet, për drejtim të rrezikshëm.

Gjithashtu, e reja nuk do të ketë mundësi t’i afrohet ish-të dashurit të saj për një periudhë të pacaktuar kohe, deri sa një ekspert psikologjik të vlerësojë se nuk është më e rrezikshme.

Top Channel