Ideja anti-krizë e qytezës spanjolle: Rrisim hashash

11/04/2012 16:55

Një qytezë spanjolle, e përballur me krizën ekonomike që po përjeton vendi, votoi në një referendum pro rritjes së kanabisit, si një mënyrë për të paguar borxhet e tij.

Qytetarët e Raskerës u pyetën nëse janë dakord që të japin me qera një tokë prej shtatë hektarësh në pronësi të bashkisë, për të kultivuar në të bimën narkotike.

Kryebashkiaku Bernat Pellisa beson se arka e qytezës së zhytur në borxhe do të jetë në gjendje të rigjenerohet shumë shpejt, duke paguar 1,5 milionë eurot që ka detyrime ndaj kreditorëve të saj brenda dy viteve të ardhshme.

Sipas Pellisës, në këtë mënyrë, bashkia do të ketë më pas para për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve dhe për të stimuluar në hapjen e vendeve të reja të punës, për të cilën Raskera ka aq shumë nevojë.
 
Në referendimin e mbajtur, 56,3% e 804 banorëve mbi 18 vjeç pranuan që toka t’i jepet në shfrytëzim Shoqatës së Konsumatorëve të Kanabisit, e cila do të rrisë bimën dhe konsumojë bimën, në të njëjtën kohë që do të shndërrojë në të vlefshëm truallin aktualisht djerr.

Sipas kryebashkiakut, një nismë e tillë do të ndihmojë edhe për të reduktuar krimin në zonë, pasi për ata që duan të konsumojnë lëndën narkotike, nuk do të jetë më e nevojshme që t’i drejtohen korrierëve të drogës.

Ndonëse një nismë e tillë e Raskerës është kundërshtuar nga Madridi zyrtar, bashkia ka vendosur të sfidojë ligjshmërinë e vendimit të saj duke paraqitur një padi në gjykatë.

Aktualisht, Spanja është duke vuajtur një krizë të thellë ekonomike, që ka krijuar një “armatë” prej pesë milionë të papunësh ose 23% e krahut të punës. Një shifër e tillë e vendos vendin iberik në krye të vendeve të Eurozonës me papunësinë më të lartë.

Top Channel