PPE organizoi në Bruksel një konferencë në mbështetje të partive simotra të Ballkanit. I ftuar të flasë mbi “përvojën, mundësitë dhe sfidat e proçesit të stabilizim-asocimit”, Kryeministri Sali Berisha foli mbi ato që ai i cilësoi arrije të Shqipërisë, në ekonomi, turizëm, shëndetësi, apo luftën kundër varfërisë, krimit e korrupsionit, pa harruar të përmendë, si problem bazë, opozitën.

“Për krimin e organizuar, tani, me qartësinë e kristalit, ka një rekord më të ulët të krimeve të rënda se mesatarja e vendeve të BEsë. Vitin e kaluar patëm më shumë se 4 milionë turistë dhe askush prej tyre nuk ka ndeshur ndonjë problem në vendin tim. Për vendin tim, korrupsioni përbënte një problem shumë të madh. Është akoma problem, por ne jemi vazhdimisht shumë të angazhuar për ta luftuar. Më lini t’ju kujtoj se në vitin 92’, Shqipëria dhe Angola ishin vendet më të varfra në botë. Sot Shqipëria le prapa pesë vende të BEsë apo pesë vende të OSBEsë. Ne kemi një prej shifrave më të ulta të vdekshmërisë në botë. Unë i jam shumë mirënjohës PPEsë, Parlamentit Europian dhe Komisionit Europian për ndihmën e madhe që ofruan për të zgjidhur një gjë, atë bazë, që opozita shqiptare nuk ka qenë kurrë më parë anti-evropiane, por duke mos votuar në Parlament, menduan se mund të dëmtojnë dhe ndëshkojnë qeverinë si dhe se mund të kapitalizojnë përfitime, por kjo ishte e gabuar. Tani ne po punojmë sëbashku, në një klimë normale, me konstruktivitet dhe ndërshmëri nga të dyja palët për marrëveshjet e arritura”,  tha Kryeministri, Sali Berisha.

Ndërsa Presidenti i PPE-së Joseph Daul lavdëroi kryeministrin Berisha për punën në fushat kyçe të integrimit, si drejtësia e korrupsioni, Eduard Kukan, kreu i Delegacionit per Ballkanin, kërkoi rezultate konkrete nga Shqipëria.

Joseph Daul, President i PPE në Parlamentin Europian:

“Ne kemi punuar shumë dhe po punojmë në nivelin e drejtësisë, në nivelin e këtij korrupsioni dhe mbi të gjitha të krimit të organizuar por edhe mbi trafiqet, e mbi të gjitha trafiqet e qenieve njerëzore. Ne jemi shumë të ndjeshëm për këto çështje dhe unë e di, e di dhe do ta them, sepse i ndjek nga shumë afër, se ju po luani lojën e Europës.”

Eduard Kukan, Kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE:

“Siç dëgjuam nga Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, ata po punojnë në mënyrë shumë aktive në të gjitha fushat. Por që të shënohet me të vërtetë sukses, nevojitet bashkëpunimi dhe dialogu me të gjitha palët e interesuar, si edhe rezultatet konkrete të cilan do të vijnë nga ky dialog. Kjo do të ishte gjëja me e bindshme për ne.”

Kryeministri Berisha shënoi nivelin më të lartë të përfaqësimit në konferencën partiake të PPEsë, ku nga Ballkani morën pjesë Ministri i Jashtëm maqedonas, ish-Ministri i jashtëm i Kosovës, dhe përfaqësues të tjerë në nivele më të ulta nga vendet e tjera të rajonit.

“Ngjarja më e madhe në Ballkan këtë vit është datëlindja, 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë. Prandaj ju ftoj i dashur president të merrni pjesë në këtë ngjarje të madhe për kombin tim, ju dhe kolegëve tuaj në këtë tavolinë”, shtoi Berisha.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA