Luani që ha “në pjatë”

10/04/2012 17:20

Një luan në një park natyror në Botsvana, Afrikë, mund të hyjë në histori si grabitqari më i kulturuar ndonjëherë.

Në fakt ai u fotografua nga një grup turistësh të befasuar duke rikthyer në kampin e tyre një pjatë, pasi kishte ngrënë mishin në të.

Të strehuar me tenda në mes të savanës afrikane, në një përpjekje për të shijuar një jetë të egër gjatë pushimeve të tyre, turistët ishin duke gatuar dhe siç tregoi njëri prej tyre për “Daily Mail”, në pjatë ishte vendosur një copë mishi.

Megjithatë, pjata u zhduk në mënyrë enigmatike dhe pushuesit menduan se e kishin humbur në një farë mënyrë, pa u shqetësuar më për të.

Për befasinë e tyre, disa ditë më pas, një luan ende këlysh, u afrua për të rikthyer pjatën. Me siguri, luani u tërhoq përsëri nga era e ushqimit. Ajo që askush nuk di të shpjegojë, është se përse ai u paraqit me pjatën me vete.

Top Channel