Shitet në ankand qyteti me 1 banor

06/04/2012 16:50

Shtetet e Bashkuara merren si një shembull për lirinë e veprimit në shit-blerje. Në një të tillë, ditët e fundit në ankand nuk doli asnjë objekt, asnjë send me vlerë monetare, historike apo shpirtërore, por një “qytet i tërë”.

Problemi është se popullsia e qytetit përbëhet vetëm nga një banor. Në ankand shuma që u ofrua më shumë ishte 900 mijë dollarë, oferta më e lartë e bërë nga dy vietnamezë që preferuan të mbeten anonimë.

“Qyteti i rrallë”, (nëse ende mund ta quajmë qytet), ndodhet në shtetin Wyoming dhe quhet Buford. “Qyteti” shtrihet në një zonë prej 4 ha tokë dhe përveç banorit të tij, ka një shkollë, një pikë karburanti, një shtëpi me 3 dhoma gjumi si dhe një dyqan.

Banori i vetëm, gjithashtu pronar i “qytetit” e nxorri atë në ankand duke nisur nga shumë 100 mijë dollarë dhe as vetë nuk e priste që oferta të ishte kaq e majme. Por përveç shitjes së pronës, banori i vetëm i Buford, ka lënë edhe rolin si kryetar i bashkisë.

Buford ndodhet në një zonë me lartësi të konsiderueshme nga niveli i detit dhe pranë rrugës kryesore që përshkon lindje-perëndim Shtetet e Bashkuara. “Qyteti” ka numrin e tij postar, kodin e tij zip si dhe një kabinë valësh telefonike.

Top Channel