Veshjet për meshkujt klasikë

05/04/2012 19:20

Në atelienë e Altin Micit gjithçka i dedikohet meshkujve klasikë. Xhaketë, këmishë, pantallona dhe kravatë është uniforma e zakonshme mashkullore, por Altini guxon të shkojë përtej klasikes.

Xhaketat i pret me harqe, format e jakave gjithashtu nuk i ngjajnë njëra-tjetrës apo kostume dyngjyrëshe dhe materiale të shndritshme. Në atelienë e Altinit kostumet e paraqitura në manekin nuk shiten, por klientët mund të bazojnë kërkesat e tyre duke i parë ato.

“Kam vite që punoj, por shumë pak kohë që kam dalë në tregun shqiptar sepse doja të arrija disa standarte përsa i përket mënyrës së prezantimit”, tregon Altini.

Djemtë të cilët martohen në moshë të re e pëlqejnë punën e tij sepse stilisti mundohet të sjellë risi.

“Është e vështirë të ndryshosh veshjen mashkullore sepse baza është e njëjtë dhe mund të lëvizësh vetëm me ngjyra apo me detaje të vogla. Moshat e reja janë shumë të hapura në krahasim me të tjerët ndaj ndryshimeve”, shpjegon Altini.

Sipas tij, është një investim i madh të merresh me veshje dhe frytet i merr më vonë. Mangësia e tregut industrial rrit koston pasi gjithçka që ai përdor në punën e tij e merr nga Italia.

“Koleksioni im është një formë prezantimi dhe nuk dua ta tregtoj. Një stilist duhet të jetë edhe rrobaqepës sepse mund të bësh shumë skica, por nëse nuk njeh detajet e punës nuk do të jesh në gjendje që të arrish maksimumin”, shprehet stilisti.

Altin Mici ende nuk i ka prezantuar punimet e tij në sfilatë, por është në fazë përgatitore pasi kërkon të ndihet plotësisht i gatshëm për t’iu përgjigjur kërkesave me veshjet e tij.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel