Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se Shqipëria renditet në grupin e vendeve të zhvilluara përsa i përket vdekshmërisë foshnjore.

Sipas kryeministrit, për herë të parë vendi ynë ka arritur këta tregues themelorë të jetës, duke u renditur në grupin e vendeve me mortalitet infantil 1-shifror.

“Shqipëria sot ka një mortalitet infantil 1-shifror, që e rendit vendin në grupin e vendeve të zhvilluara. Treguesi i dytë është vdekshmëria amëtare. Shqipëria renditet mes vendeve nga 1 në 21. Them nga 1, sepse në vitin 2009 ka qenë me zero”, deklaroi Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Kryeministri theksoi se kjo situatë ka ardhur si pasojë e përmirësimit të sistemit shëndetësor në vend, që sipas tij është i hapur për të gjitha kategoritë.

“Këtu qëndron një nga arritjet më të mëdha të sistemit tonë shëndetësor, që ndonëse përballet me tregun, kërkesat dhe pasojat e veta, ka mbetur dyerhapur më shumë se të gjitha sistemet e tjera të planetit për qytetarët e vendit”, ka nënvizuar Berisha.

“Nuk them se është i përsosur, por është i hapur për çdo qytetar, atë që ka dhe atë që nuk ka”, është shprehur më tej kreu i ekzekutivit.

Top Channel