“Yahoo” shkurton dy mijë punëtorë

04/04/2012 16:30

Yahoo lajmëroi të mërkurën për shkurtimin e dy mijë vendeve të punës, ose 14% të totalit të forcës punëtore.

Kompania me qendër në Kaliforni justifikoi këtë vendim me dëshirën e saj për të “qenë më elastike, më e vogël dhe fitimrprurëse”.

”Jemi duke intensifikuar përpjekjet tona për të ripozicionuar resurset tona në përparësitë më urgjente”, deklaroi shefi ekzekutiv, Scott Thompson. Ai shtoi se do të punojë më “agresivisht” në shërbimet e ofruara për përdoruesit dhe reklamuesit e tij.

Shkurtimet janë pjesë e një plani për të kursyer 375 milion dollarë çdo vit. Megjithatë, në vitin e parë kursimi do të jetë më i vogël, për shkak të 125-145 milionë dollarëre që pritet të paguhen për ndërprerjet e njëanshme të kontratave të punës.

”Yahoo” informoi se do të publikojë më shumë detaje të strategjisë së tij të re kur të publikojë rezultatet në 17 prill.

”Hapat e sotëm janë të rëndësishëm për të krijuar atë “Yahoo” të ri që të gjithë duam. Për fat të keq, arritja e objektivave tanë nuk mund të realizohej pa eliminuar disa pozicione”, shtoi Thompson.

Ndonëse “Yahoo” ka më shumë se 700 milionë përdorues, ka humbur vazhdimisht terren ndaj rivalit tjetër të madh, “Google”, në motorët e kërkimit, ndërsa “Facebook” e ka paraprirë në trafikun e emaileve të dërguar, treg i kontrolluar në masë më parë prej kompanisë.

Top Channel