2-vjeçari që hipnotizon gjarpërinjtë

30/03/2012 21:25

Një fëmijë 2-vjeçar indian ka mësuar se si të hipnotizojë gjarpërinjtë. India është e njohur për traditën që ka me hipnotizimin e kobrave vdekjeprurëse dhe ky fëmijë duket se e ka filluar shumë shpejt karrierën.

Për shekuj me radhë burrat indianë me anë të melodive bëjnë që gjarpërinjtë të “kërcejnë” përballë tyre. Për shumë kohë ky zanat ishte edhe një mënyrë e mirë për të grumbulluar para, por tashmë kjo “industri” po lufton për mbijetesë për shkak të miratimit të ligjeve për mbrojtjen e kafshëve.

Vogëlushi po mëson nga gjyshi i tij 65-vjeçar edhe pse kjo gjë tashmë është e paligjshme dhe i moshuari rrezikon burgun. Ligji nuk lejon që kafshët e egra të përdoren për qëllime fitimi apo të kthehen në kafshë shtëpiake.

Gjyshi shprehet: “Unë i kam mësuar të gjithë fëmijët e mi që të hipnotizojnë gjarpërinjtë. Këtë gjë do të bëj edhe me nipërit e mbesat. Fitonim shumë para me këtë punë, por edhe pse tani nuk mund ta bëjmë më unë dua që ta vazhdoj trashëgiminë që më kanë lënë të parët e mi.”

Top Channel