Super jackpot-i në lotarinë amerikane

29/03/2012 00:00

Jackpot-i i lotarisë “Megamillions” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka arritur shifrën tronditëse prej 500 milion dollarësh, më i madhi në historinë e kësaj loje.

Shifra rekord që mund të fitohet nga një ose disa persona me fat, u akumulua pasi shorteu i ditës së martë nuk solli asnjë fitues.

Loja radhës do të mbahet ditën e premte dhe fluksi i qytetarëve amerikanë drejt pikave ku shiten bileta të kësaj lotarie është rritur ndjeshëm.

Rekordi i mëparshëm i kësaj lotarie ishte 390 milion dollarë dhe u fitua më 6 mars të vitit 2007. Shitësit nëpër pikat ku shiten biletat e kësaj lotarie thonë se shifra e madhe “jackpot” ka bërë që edhe klientët që nuk kanë blerë kurrë një biletë të tillë, ta bëjnë këtë, duke shpresuar tek “fati i fillestarit”.

Të intervistuar nga mediat amerikane, qytetarët thonë se mundësia për të fituar lotarinë është tmerrësisht e vogël, por askush nuk humb gjë nëse shpenzon pak dollarë për të blerë një biletë, fundja, prandaj quhet dhe lotari…  

Top Channel