Afera me armët, dorëhiqet ministri suedez

29/03/2012 15:55

Ministri i Mbrojtjes i Suedisë dha dorëheqjen ditën e enjte, i kritikuar për një marrëveshje të fshehtë për ndërtimin e disa fabrikave të ndërtimit të armëve në Arabinë Saudite.

Një zëdhënës i qeverisë deklaroi se Sven Tolgfors “dha dorëheqjen me vullnet personal”. Më parë gjatë muajit, një radio vendase zbuloi një plan sekret, në bazë të të cilit Agjensia Suedeze e Armëve do të ndihmonte Riadin zyrtar në ndërtimin e fabrikave për prodhimin e raketave dhe torpedove detare.

Suedia nuk e ka të përfshirë Arabinë Saudite në listën e vendeve të ndaluara për eksport armësh, por mënyra sekrete e planit është kritikuar ashpër nga mediat dhe opozita.

Në bazë të një ligji, çdo marrëveshje për eksportimin apo importimin e armëve duhet të kalojë fillimisht në Parlament dhe mund të hyjë në fuqi vetëm pasi të merret aprovimi, diçka që nuk kishte ndodhur.

Megjithatë, Tolgfors mbrojti projektin duke thënë se ai ishte në linjë me miqësinë e mirë që ekziston midis dy vendeve dhe me konsideratat ndërkombëtare që e çmojnë Arabinë Saudite si një kontribuese të rëndësishme për paqen në rajon. Sidoqoftë, për mediat, vendi më i madh eksportues i naftës në botë është një diktaturë dhe përdor armët kundër popullsisë së tij.

Pas shpërthimit të skandalit, kryeministri Fredrik Reinfeldt pranoi se një marrëveshje paraprake aramtimesh ishte nënshkruar me Qeverinë Saudite në vitin 2005.

Pas dorëheqjes, një zëdhënëse e kryeministri Reinfeldt shpalli një konferencë për shtyp gjatë pasdites, në të cilën do të jetë vetë shefi i kabitetit suedez ai që do të shpjegojë arsyet e dorëheqjes së Ministrit të Mbrojtjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA