Lojrat popullore në Shkodër

26/03/2012 19:55

Për të pestin vit me radhë, zona e Shkodrës dhe rrethinat e saj mblidhen në Kalanë e Rozafës për të organizuar të ashtëquajturat lojra popullore.

Një festë për mirëseardhjen e stinës së pranverës që siç thonë organizatorët është një mënyrë për të rikthyer traditat e vjetra. Emisioni i “Pasdites” nuk mund të mungonte në këtë aktivitet krejtësisht të veçantë,

Në pasarelat e të gjithë botës, në këtë periudhë parakalojnë modelet me veshjet e pranverë-verë 2012 dhe një pasarelë e tillë u improvizua edhe në Shkodër, me ndryshimin se ato që parakaluan ishin veshjet e larmishme popullore.

Midis tyre, spikati xhubleta që peshon e vetme 19 kilogramë, ndërsa vajzat nga zona e Hotit, një element tjetër veç veshjes kanë edhe modelin unik të flokëve, i cili kërkon deri në dy orë kohë në ditë për t’u realizuar.

Në botë flitet për kitarën e Jimmy Hendriks që peshon mbi dy kilogramë apo piano “të famshme” që kushtojnë edhe më shumë, por instrumente të tillë duket se janë të panevojshme për Sokol Kocekun, të cilit i mjafton një gjethe e vetme, për të vërshëllyer tinguj të njohur këngësh.

Mundja e dorës, një traditë e vjetër në kulturën shqiptare, gjithashtu nuk u anashkalua në lojrat popullore në qytetin e Shkodrës.

I konsideruar më shumë si një sport burrëror, ai u praktikua edhe nga shumë konkurrente femra, që kundërshtuan kështu bindjen se femrat janë më të dobëta nga natyra.

Në garën e meshkujve, si për çudi, dy finalistët ishin të dy nga zona e Gurit të Zi, provë kjo se banorët e kësaj zone, mbase janë realisht prej “guri”.

Në mbështetje të ruajtjes së traditës, në kalanë 2 400-vjeçare kontribuan edhe një grup vullnetarësh amerikanë, me kërcimet e tyre të veçanta dhe një maratonë prej tre kilometrash në kryeqendrën e veriut.

Një ndër pjesëmarrëset në aktivitet ishte edhe Irina, e cila me një shqipe të rrjedhshme, tregoi se sa e rëndësishme është që të realizosh aktivitete në ruajtje të traditave shekullore. “Për mua që nuk kam parë shumë aktivitete të tilla kjo ka qenë një ditë shumë e bukur, pasi kam mësuar shumë gjëra të reja, rreth kulturës, traditës shqiptare dhe mënyrë se si sillen banorët e këtij vendi”.

Për artet marciale, të paktën për një ditë nuk ishte e domosdoshme të dërgoje vëmendjen në Azinë e largët, pasi edhe ato figuruan midis të gjithë të pranishmëve në lojrat popullore të Shkodrës.

Në përmbledhjen e këtyre pesë viteve, organizatori i këtyre lojrave, Kastriot Faci, tregon se nuk ka qenë e lehtë. “Pa dyshim, do të thoja se ky vit, nga të gjitha lojrat popullore që kemi zhvilluar, ishte më i miri, më i frekuentuari dhe më i larmishmi me aktivitete, me më shumë se 5-6 mijë vizitorë”, deklaroi Zoti Faci.

Top Channel