Exclusive – Kompania 4000

25/03/2012 00:00

Pamjet e rralla që do të transmetohen sonte për herë të parë në emisionin “Exclusive” vijnë nga arkivi personal i ish-komandantit të kompanisë 4000, Thomas Mangelly.

Kompania 4000, një njësi paraushtarake e krijuar nga Shërbimi i Fshehtë Amerikan për Operacione Klandestine në Shqipëri ishte kampi kryesor ku stërviteshin të rinj shqiptarë të cilët dërgoheshin me mision zbulimi në Shqipëri.

Ishte viti 1949 kur amerikanët mendonin seriozisht për një destabilizim të mundshëm të Shqipërisë nëpërmjet Operacioneve të Fshehta, të cilat kishin si mision rrëzimin e pushtetit komunist. Operacioni sekret i koduar BGFiend (Bi xhi fiend) përfshinte një pjesë të madhe të mërgatës shqiptare, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore kishin lënë Shqipërinë dhe ishin strehuar në disa vende perëndimore.  

Pamjet e rralla të kampit ku stërviteshin shqiptarët e zgjedhur për këto operacione sjellin për shikuesin një copëz nga jeta e këtyre shqiptarëve të rinj të cilët përgatiteshin për tu parashutuar në malet shqiptare. Po kështu për herë të parë kemi pamje filmike të disa prej liderëve kryesorë shqiptarë të këtyre operacioneve si Abaz Kupi, Abaz Ermenji dhe Hasan Dosti, të cilët vizitojnë kompaninë 4000 në mjediset e kampit në Gjermani.
 

Top Channel