Sarandë, kapen mushkat me hashash

24/03/2012 00:00

Policia e qytetit jugor të Sarandës sekuestroi mbrëmjen e së premtes një sasi droge prej 300 kilogramësh, të llojit kanabis sativa.

Lajmin e bënë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave droga ishte bërë gati të transportohej përmes disa mushkave drejt Greqisë.

Nga burimet mësohet se janë shpallur në kërkim tre persona, të cilët po merreshin me transportin e lëndës narkotike.

Nga hetimet e agjentëve të policisë ka rezultuar se droga ruhej nga trafikantët në një depo në zonën e Butrintit, shtuan më tej burimet.

Më herët gjatë muajit, një gomone rreth 10 metra e gjatë me flamur grek u bllokua nga policia kufitare e Sarandës, pasi transportonte 84 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si kanabis sativa.

Gomonia u kap rreth ores 23 të mbrëmjes së 13 marsit, teksa po lëvizte nga ishulli i Korfuzit në drejtim të kanalit të Çukës. Gominia ishte e pajisur me dy motorë me nga 25 kuaj fuqi secili. Nga kontrolli i imtësishëm që iu be mjetit u konstatua se në të ndodheshin dy çanta me lëndë narkotike.

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Strategjinë Ndërkombëtare të Kontrollit të Narkotikëve nuk ndryshon shumë nga ata të mëparshmit kur vjen fjala tek përcaktimi që i bën në vija të përgjithshme pozicionit të vendit tonë: Shqipëria vazhdon të mbetet vend tranzit i drogës për Europën Perëndimore.

Në ditët e fundit në vend ka pasur një seri konfiskimesh të drogave të lehta, si në Vlorë, Kukës, si dhe në Elbasan, ku u shkatërrua një rrjet i shpërndarjes së narkotikëve.

Top Channel