A duhet të shkojë Gjermania në Aushvic?

23/03/2012 13:15

Një debat është ndezur në Gjermani në lidhje me faktin në duhet që kombëtarja të vizitojë kampin e vdekjes së Aushvicit, kur të vizitojë Poloninë në verë, me rastin e Europianit të 2012-s.

Kampi i Aushvicit, i ndërtuar pranë Krakovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shndërrua në një prej më famëkeqëve të sistemit nazist të kampeve, pasi në të u mbytën me gaz 1,2 milionë hebrenj.

Sot një muze që përkujton vuajtjet e Luftës, ai vizitohet çdo vit nga qindra mijëra turistë, midis të cilëve edhe dhjetëra mijëra nxënës gjermanë, që shkojnë në të në ekskursione me qëllim edukues.

Kombëtarja e Anglisë ka lajmëruar më parë se do të bëjë një peligrinazh në këtë vend, për të nderuar kujtimin e të vdekurve, por në Gjermani, çështja është më delikate.

Dieter Graumann, presidenti i Këshillit Qëndror të Hebrenjve në Gjermani, prindërit e të cilit ishin midis gjashtë milion hebrenjve të mbytur në dhomat famëkeqe, është një prej atyre që përkrahin vizitën. “Do t’i dërgonim një mesazh të tmerrshëm botës nëse futbollistët e Gjermanisë do të linin pa vizituar Aushvicin. Pa dyshim, lojtarët e rinj nuk kanë asnjë faj, por është e rëndësishme të tregohet një ndienjë përgjegjësie si komb”, deklaroi Grundmann.

Përfaqësues të kishës katolike dhe asaj protestante gjithashtu janë të mendimit që “Mannschaft” duhet të vizitojë vendin përkujtimor, por duket se Federata Gjermane nuk e mbështet shumë idenë.

Henryk Broder, një shkrimtar i famshëm gjermano-hebre, është gjithashtu kundër idesë. Në një artikull të publikuar për Der Spiegel, ai shkruan: “Cilët janë futbollistët që do të shkojnë në Aushvic? Çfarë do të fitojnë hebrenjtë nga keqardhja e tyre? Nuk është detyrë e futbollistëve të bëjnë këtë vizitë dhe qëllimi i vetëm i atyre që e kërkojnë diçka të tillë është të bëjnë fotot e tyre dhe t’i shpërndajnë nëpër media për arsye propagandistike”.

Në artikullin e tij, shkrimtari shton: “Futbollistët gjermanë nuk kanë asnjë punë në Aushvic. Kuptohet, çdo kush mund të shkojë për arsye personale. Por, nëse Federata Gjermane e Futbollit do të dëgjojë këshillën e Grandmann për të dhënë një mesazh, duhet të gjejë diçka më origjinale se sa një vizitë e detyrueshme në atë vend. Të tregosh solidaritet për hebrenjtë e vdekur është shumë e lehtë, por a do të ndihet ndonjëri prej tyre përgjegjës? Dhe pa dyshim, vizita nuk do të kthejë asnjë prej viktimave pas”.

Artikuj të ngjashëm në lidhje me axhendën që duhet të ketë kombëtarja gjermane kur të vizitojë Euro 2012 vazhdojnë të qarkullojnë në shtypin gjerman.

Së fundmi, bisedës i është shtuar edhe ish-futbollisti dhe trajneri Jurgen Klinsmann, i cili beson se yje si Ozil, Klose, Gomez, Schëeinsteiger apo Khedira duhet të shkojnë në Aushvic, pasi ata janë idhuj për brezin e të rinjve.

Top Channel