Bulqizë, shemben galeritë

20/03/2012 00:00

Shfrytëzimi pa plan të rregullt dhe dëmtimi i kolonave në galeritë e kromit në Bulqizë ka shkaktuar shembje të mëdha në Zonën D.

Pamja e shembjes duket qartazi nga jashtë galerive pasi një masiv dheu, gurësh dhe minerali është fundosur duke krijuar një gropë të madhe.

Fatmirësisht shembja ka ndodhur në galeritë ku nuk ka patur minatore. Zona D e minierës së kromit në Bulqizë është nëe nga më të rrezikshmet dhe për shkak të pasigurisë Ministria e Ekonomisë ka pezulluar punën në këtë pjesë të galerisë.

Mbi 80 minatorë kanë mbetur të papunë prej muajsh dhe protestojnë pothuajse cdo ditë para zyrave të kompanisë koncesionare ACR. Ata punonin për kompanitë e licensuara, ndërkohë që në zonën krommbajtëse problemet më të mëdha shkaktohen aktualisht në zonat që shfrytezohen nga persona të palicensuar.

Për të goditur këtë fenomen, Drejtoria e Policisë së Qarkut ka vendosur prej ditësh postobllok policie që kontrollon cdo ngarkesë kromi që del nga zona e Bulqizës.

Drejtori i Policisë së Qarkut, Shemsi Prençi, i emëruar vetëm një muaj më parë në këtë detyrë, ka nisur një seri masash që synojnë goditjen e informalitetit i cili në shumë raste është bërë burim konfliktesh dhe kriminaliteti në qytetin e Bulqizës.

Top Channel