Një telefonatë e George Clooney pas hekurave të qelisë, kur u ndalua për prishje të qetësisë publike në protestën para ambasadës sudaneze në Uashington, është komentuar e po komentohet gjatë nga gazetat dhe revistat rozë, jo vetëm në SHBA.
Në shtypin gossip nisen shkrimet e hamendësimit se kujt mund t’ia kishte dedikuar telefonatën e parë Clooney pas hekurave? Disa thanë se aktori hollivudian i telefonoi të dashurës së tij, Stacy Keibler, disa të tjerë avokatit të tij.
Por telefonata e Clooney ishte për mamanë e tij, Nina Bruce dhe ai që e ka zbardhur këtë mister ka qenë vetë Clooney.
“Disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë. Unë telefonova mamanë time dhe doja ta qetësoja atë”, deklaroi Clooney.
Ai u arrestua para pak ditësh në një protestë të organizuar para ambasadës sudaneze si manifestim për mosrespektimin e të drejtave të njeriut nga shteti afrikan.
Clooney njihet si një ndër aktorët më aktivë në mbështetje të respektimit të të drejtave të njeriut dhe luftës ndaj urisë.
Top Channel