Demokratet dhe socialistet u ndanë sërish në Kuvend me votë për ndryshimin e një ligji që u jep të drejtë 13 mijë e 700 personave të privatizojnë truallin ku kanë ngritur me leje ndërtimi objektet para dhe pas vitit 1991, si dhe atyre që kanë privatizuar godina të ish-kooperativave apo ndërmarrje bujqësore.
Këto kategori deri më tani nuk kishin në pronësi truallin dhe nuk paguanin asnjë qera, pasi ligjet në fuqi nuk e parashikonin një gjë të tillë. Por, socialistët e kanë kundërshtuar këtë ndryshim, duke dyshuar se ky është një veprim klientilist i qeverisë.
”Tani më thoni të nderuar kolegë, kundër kujt kategorie jeni ju. Atyre familjeve fshatare që kanë ndërtuar shtëpi me lejet e këshillave të bashkuar e s’kanë pronësi? Kundër mijëra familjeve që kanë ndërtuar në vitet 1991-93 dhe për të cilat nuk kanë pronësi ligjore apo për ato mijëra të tjera që kanë privatizuar nga ish-objektet shtetërore, por që nuk kanë pronësi mbi truallin”, pyeti Ministri i Financave, Ridvan Bode.
Nga ana e saj, deputetja socialiste, Mimi Kodheli, u kundërpërgjigj: “Nuk dua të abuzoj me të drejtën e fjalës, por duket se ndryshimi i ligjit 10 270 është bërë që të kënaqë ata pak pronarë të rinj, që kanë shtëpitë e tyre të pushimit, të cilat i kanë blerë, por pa mundur të përvetësojnë edhe tokën shtetërore që ndodhet nën to”.
Diskutimi i këtij ndryshimi ligji, që zgjati mbi dy orë, ka hapur edhe temën delikate për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. Sipas Ministrit të Drejtësisë, Shqiperia ka refuzuar të ndjekë shembullin e Kroacisë, Malit të Zi apo Çekisë, që e mbylli çështjen duke u kthyer pronarëve vetëm 20% të pronës së tyre fizike ose duke i kompensuar me 10% të vlerës financiare.
Por, socialistet besojnë se me këto vendime qeveria, jo vetëm nuk po lë më asnjë tokë të lirë për kompensim, por ka fshirë edhe afatin ligjor për krjimin e fondit financiar të ish-pronarëve.
”Thënë thjesht, qeveria nuk është e interesuar të krijojë një fond special, sepse nuk do t’i kompensojë ish-pronarët. Ndërkohë, me ligjin që heq çdo afat ligjor që shteti ka si detyrim për kompensim, ideja e fondit special është tjetërsuar në makth që shteti do t’i kompensojë pronarët kur ti ketë ato para ose përse jo, kur ti teket”, argumentoi Kodheli.
”Ju garantoj ju se brenda një viti qeveria do të përllogarisë qartësisht sipas vlerës së tregut, vlerën që i detyrohet financiarisht ish-pronarëve. Vizioni i qeverisë është që të mbyllim procesin e detyrimit ndaj ish-pronarëve dhe të vazhdojmë me proçedurat e kompensimit të plotë”, u përgjigj Bode, përpara se Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, të shtonte: “Ndonëse institucionet ndërkombëtare na kanë kritikuar, ne jemi të vendosur që kompensimi do të jetë 100% me vlerën e tregut dhe kështu do të jetë”.
Të dyja palët kanë akuzuar për hipokrizi njëra-tjetrën, kur kanë folur për zgjidhjen përfundimare të çështjes së pronës.
”Ne do të jemi gati të bashkëpunojmë me ata për të zbatuar një kuadër të ri ligjor që të respektojë të drejtat e pronarëve dhe që siguron drejtësi sociale”, propozoi Kodheli.
Nga ana e tij, Bode shtoi në mënyrë ironike: “Ndihma që ju jeni të gatshëm të jepni është si ajo përralla e dhisë, me ujkun që lyen këmbën me miell. Por, nuk ka miell që të bëjë këmbën tuaj që të duket si e bardhë”.
Prej kohësh, socialistët dhe demokratet jane fokuasuar tek ky debat, duke paralajmeruar se çështja e pronës do të jetë një nga pikat e nxehta të fushatës së ardhshme elektorale.
Top Channel