Makina që s’njeh mekanik prej 71 vitesh

15/03/2012 16:40

Një pensioniste 97-vjeçare në Britaninë e Madhe vazhdon të ngasë makinën që bleu 71 vite më parë, në vitin 1941.

Për me tepër, Alice Day nuk ka patur asnjëherë nevojë që të çojë tek mekaniku “Austin Seven” e saj, që gjatë Luftës së Dytë Botërore i shpëtoi për centimetra shkatërrimit gjatë një bombardimi ajror.

Mjeti, që ka përshkruar mbi 100 mijë kilometra, kalon prej shtatë dekadash pa problem të gjithë kolaudimet që u nënshtrohet.

”Dikur, kur diçka e bënin mirë, ishte me të vërtetë e mirë. Sot, asnjë makinë nuk zgjat më shumë se dhjetë vjet”, tregon 97-vjeçarja.

”Austin Seven”, një makinë me motor 750 kubikë, është në gjendje të udhëtojë deri me 80 kilometra në orë. Një makinë shumë popullore e viteve 1930-40, 290 mijë kopie të saj u prodhuan në botë, por sot mbeten në gjendje pune vetëm disa qindra.

Top Channel