Fondi Monetar Ndërkombëtar ra dakord që të paguajë 28 miliardë euro për të kompletuar kështu 130 miliardë eurot që Greqia do të marrë në formë huaje.
Aprovimi i FMN-së përbën hapin e fundit në kalimin e kredisë së shumëpritur në arkën e boshatisur të Athinës zyrtare.
1.65 miliardë do t’i kalojnë Greqisë në mënyrë të menjëhershme. Ditën e mërkurë, Jean-Claude Juncker, kryeministër i Luksemburgut dhe kreu i Eurogrupit, deklaroi se të gjitha kushtet e kërkuara ishin përmbushur nga Qeveria Greke.
39,4 miliardë euro do t’i jepen në disa këste Greqisë gjatë vitit 2012. Në mënyrë që të merrte fondet, Athina realizoi disa reforma të thella, të cilat përfshinë uljen e pagave dhe pensioneve, shkurtimin e fondeve për shëndetësinë dhe të dhjetëra mijërave vendeve të punës në administratë.
Pa një marrëveshje me kreditorët, Greqia do të ishte e detyruar të shpallte falimentimin në datën 20 mars.
Pavarësisht zbatimit të disa reformave të thella, situata e vendit fqinj mbetet tejet delikate dhe disa analistë kanë ngritur shqetësimin se ekonomisë greke do t’i duhet ende kohë për t’u rikthyer të qëndrojë në këmbët e saj.
Kjo mund ta shndërrojë atë në një “gropë thithëse” parash, pasi Athina mund të ketë nevojë për më shumë para në të ardhmen për të mos u tërhequr nga pagimi i borxheve të saj.
Top Channel