Belkisa, 2-vjeçarja me sindromën “Down”

15/03/2012 19:25

Belkisa ishte fëmija që pritej me padurim në një familje që kishte dy vajza të rritura sepse një bebe do e shtonte akoma edhe më shumë gëzimin.

Por, lajmi se e porsaardhura në jetë kishte sindromën “Down” tronditi gjithçka.

“Më erdhi si bombë. Thoja pse të më ndodhë diçka e tillë, çfarë i kam bërë Zotit pyesja veten”, shprehet nëna e Belkisës.

Dilemat e momentit i rrëzoi shumë shpejt dashuria dhe përkushtimi. Belkisa është tani 2 vjeç. I është nënshtruar një operacioni pasi kishte vrimë në zemër e megjithatë deri më tani historia e saj mund të cilësohet si histori suksesi.

“Kur më ka thënë për herë të parë “mami” unë vetëm qaja”, kujton nëna e 2-vjeçares.

Ajo pothuaj nuk ka dallim nga moshataret e saj e kjo falë kujdesit që është shumë herë më i madh se sa për një fëmijë të zakonshëm.

“Që të ketë ecuri nuk duhet vetëm puna në shtëpi e prindërve. Belkisa vazhdon terapinë në Kombinat, duhet të nisë një kurs noti sepse të gjitha këto ndihmojnë në zhvillimin e saj. Por këto nuk përballohen me rrogat e shtetit. Unë do të investoj për vajzën time, mund të kërkoj edhe borxh apo kredi, por shteti mungon në këtë drejtim”, thekson nëna e Belkisës.

“Për momentin më frikëson rritja. Kur takoj njerëz në rrugë më pyesin: Si e ke vajzën se kemi marrë vesh që është budallaqe.” Si mund t’i përgjigjesh një pyetjeje të tillë”, shton mamaja e vogëlushes.

Por, pavarësisht kësaj dhe lodhjes, asgjë nuk e step Enkelejdën nga synimi për ta bërë vajzën e saj dikushi në jetë.

“Unë do e bëj si të gjithë fëmijët e tjerë, të fillojë një shkollë 8-vjeçare, të mesme dhe të lartë. Do bëj maksimumin”, përfundon nëna.

Top Channel