Enciklopedia “Britannica”, vetëm online

14/03/2012 00:00

Pas 244 vjetësh në qarkullim, enciklopedia angleze “Britannica” do të reshtë publikimin e edicionit të saj të famshëm 32 volumësh, për t’u shfaqur tanimë vetëm në internet.

Fokusi do të jetë ekspansioni dixhital, vendim ky i detyruar nga rritja e konkurencës që vjen prej faqeve të internetit si Wikipedia. Firma që i shiste enciklopeditë e saj derë më derë, tani gati 85 përqind të të ardhurave të veta, i siguron nga shitjet online.

“Enciklopeditë e botuara janë neglizhuar prej vitesh. E dinim që kjo ditë do të vinte. Ishte e pashmangshme”, thotë Jorge Cauz, president i “Britannica”
 
Kompanitë në mbarë globin po tentojnë ta shtojnë praninë e tyre online, në përpjekje për të siguruar sa më shumë vend në tregun që po njeh një rritje të shpejtë.

Gazeta të ndryshme, revista e madje edhe shtëpi botimi i kanë kthyer sytë nga hedhja në internet e produkteve të tyre në një kohë kur numri i lexuesve online sa vjen e shtohet.

Vendimi i “Britannica” për t’u përqendruar tek këto botime u influencua nga ndryshimi i preferencave të konsumatorit, por rol të rëndësishëm luajti edhe aftësia për rifreskimin e informacioneve brenda një kohe shumë të shkurtër.
“Një enciklopedi e printuar është e vjetëruar që në momentin kur e boton. Nuk mund t`i bësh më asnjë shtesë. Ndërsa edicionet online janë në rifreskim të vazhdueshëm”, deklaron Jorge Cauz.
 
Edhe vetë përdoruesit më të shpeshtë të enciklopedisë rrëfejnë se preferojnë variantin online sepse gjetja e informacionit është shumë më e shpejtë dhe e thjeshtëzuar.

Top Channel