Muzetë në gjendje të rëndë

12/03/2012 00:00

Gjendja e muzeve në Shqipëri është e rënduar dhe nuk i plotëson kërkesat që ka sot shoqëria.

Kështu u shpreh arkeologu Neritan Ceka, në një tryezë të rrumbullakët, të organizuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.

Specialistët hodhën idetë e para në lidhje me përmirësimin e gjendjes aktuale dhe riorganizimin e sistemit të muzeve.

“Sot jemi në një katastrofë me muzetë lokalë. Pjesa më e madhe e tyre janë mbyllur, ndërsa disa kanë humbur pjesën më të madhe të koleksioneve, si në Elbasan, ku kanë mbetur vetëm disa rrecka të varura, dhe në muzeun e Korçës, ku kanë humbur koleksionet”, deklaroi Ceka.

Ndërsa ministri Bumçi foli për rëndësinë e muzeve në lidhje me turizmin dhe nevojën për të dokumentuar kujtesën kombëtare.

“Ne duhet të kemi në fund të ketij proçesi një hartë të saktë se ku duhet të ketë muze arkeologjik, muze të diktaturës, të armëve, apo pavione”, deklaroi Bumçi.

Më pas anëtari i Komisionit Shtetëror të Muzeve, Myzafer Korkuti evidentoi nevojen për të ndërmarre hapa konkretë për të investuar dhe ndërhyrë në mënryë që të përmiresohet situata.

Ndërsa drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima u shpreh se duhet të mërren masa që trashëgiminë që na la komunizmi ta kthejmë në favorin tonë, duke ekspozuar një art ndryshe nga ai perëndimor, në mënyrë që të tërheqim kështu edhe turizmin në Shqipëri. Por në të njëjtën kohë, Shima tha se duhet që arti të mos jetë më në shërbim të politikës.

Top Channel