Grataçela 30-katëshe ngrihet në 15 ditë

10/03/2012 00:00

Një grataçelë me 30 kate është ndërtuar në vetëm 15 ditë në Çangsha, kryeqyteti i provincës kineze të Huanit.

Lajmin e ka bërë të ditur shtypi lokal. Bëhet fjalë për një pallat parafabrikat, shumica e pjesëve të të cilit, 93 për qind, janë ndërtuar në fabrikë.

Sipas informacioneve të bëra të ditura nga kompania ndërtuese, “Broad Sustainable Building”, pallati, ku do të vendoset një hotel, është ndërtuar duke përdorur një proçes tërësisht inovativ dhe të sigurtë, që në radhë të parë redukton rreziqet që kanë të bëjnë me vonesat e ndërtimit.

Pjesët e ndërtuara në fabrikë transportohen të kompletuara në kantier dhe më pas montohen me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Megjithatë, nuk mungojnë kritikat dhe shqetësimet që kanë të bëjnë me sigurinë e ndërtesës.

“Një punë e bërë shpejt nuk është një punë e bërë mirë. Shpejtësia e madhe shpesh herë shoqërohet me rreziqe të mëdha. Vetëm koha do të na thotë sa i madh është rreziku”, ka deklaruar Zhang Li, një arkitekt nga Pekini.

Sipas tij, me qëllim që të përfundojnë sa më shpejt veprat e tyre, disa firma ndërtimi anashkalojnë disa faza dhe kontrolle që normalisht kërkojnë kohë. Por përgjegjësit e kompanisë së këtij rasti japin garancinë e tyre për sigurinë.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel