Kriza në Greqi, shqiptarët braktisin emigracionin

06/03/2012 19:30

Ëndrra për një jetë më të mirë përtej kufirit ka mbaruar për familjen Shahini. Pas vitesh të gjata emigrimi në Greqi, bashkëshortët kanë marrë vendimin për t’u rikthyer në vendlindje.

Kriza ka përmbysur pritshmëritë e tyre, ashtu si të shumë shqiptarëve të tjerë që tokën helene e kanë parë si vendin e mundësive më të mira për jetesë.

Silva ka jetuar 14 vjet në Greqi, e emigruar që në kohën e trazirave të 1997. Ndërsa Xhaferri, bashkëshorti i saj 9 vjet. Ata janë lidhur dhe kanë krijuar familjen e tyre atje.

“Kam ikur nga Shqipëria në vitin 1993, kam studiuar në Itali dhe në vitin 2001 kam shkuar në Greqi ku u njoha me Silvën dhe vendosa ta ndiqja atë. Impakti i parë ishte shumë i vështirë sepse gjuha që nuk e dija, puna… Gjithsesi me kalimin e kohës u ambjentova”, tregon Xhaferri.

Por së fundmi kanë vendosur të rikthehen. Thuajse çdo ditë informohemi për vështirësitë ekonomike në të cilat po gjendet fqinji ynë: Greqia. Kriza po lëkund frikshëm themelet e shtetit, sikurse ka vënë në pikëpyetje qëndrimin e mijëra emigrantëve atje.

“Kriza ishte arsyeja kryesore që u larguam nga Greqia pasi firma ku punoja falimentoi. Kalova në asistencë dhe ndërkohë kërkoja të punësohesha diku tjetër, por ishte e pamundur. Ndërmarrjet ose mbylleshin ose bënin shkurtime në personel”, shton burri.

Megjithëse në vendlindje, rikthimi nënkupton nisje nga e para për këta njerëz që në më shumë se një dekadë kanë pasur një jetë të stabilizuar edhe pse në emigrim: “Akoma nuk jam ambjentuar me realitetin shqiptar.”

Por Silvana e ka gjetur shpejt mundësinë e saj. Ajo është vetëpunësuar menjeherë në zanat. Ka hapur një flokëtore dhe shpreson që gjithë investimi i bërë mos e lerë pa gjë.

“Është kënaqësi për mua që u riktheva. Tani kam bërë një investim me një mikeshën time shumë të mirë”, thekson Silvana.

Kriza ka qenë një argument i mjaftueshëm për kthimin në vendlindje të familjes Shahini, por jo argumenti i vetëm: “Rënia e ekonomisë ndihej goxha, ndihej në faturat e energjisë, ujit, çmime etj. Por nuk ka qenë vetëm kjo arsyeja. Ne kemi dashur gjithmonë që fëmijët të rriteshin në Shqipëri.”

Vetëm pak muaj të ikur nga Greqia, familja ende nuk e ka gjetur veten, megjithëse në vendlindje. Rikthimi prej çiftit konsiderohet emigrim i dytë.

Top Channel