Koleksioni i orave të vjetra

06/03/2012 19:20

Zgjohet në mëngjes, pi kafen dhe nis të kurdisë orat. Cdo ditë, në një orar të përpiktë duhet të kryejë këtë rutinë.

Ky është Shpëtim Stafa, një koleksionist modest orash të vjetra. Koleksioni i tij përbëhet nga rreth 80 objekte të tilla. Ora të vjetra gjermane, zviceriane, italiane, ruse, kineze, prodhime që në vitet para demokracisë konsideroheshin si sende luksi.

Shpëtimi ka pak vite që ka filluar të krijojë koleksionin e tij dhe ndonëse është në kushte jo shumë të mira ekonomike, thotë që jep shpirtin për koleksionin e tij.

“Ora më e vjetër që kam është gjermane, e vitit 1969. Është orë xhepi”, tregon Shpëtimi.

“Kam filluar pas 4-5 vitesh të bëja koleksionin. Nuk gjenden ora me çmime të lira, por unë e kam me pasion dhe nuk përbën problem”, shton koleksionisti.

Mes tik-tak-eve ritmike, 44-vjeçari ka orën e qetësisë. Gumëzhima e vazhdueshme është muza e ditës së tij.

“Ndjej kënaqësi dhe e kam bërë rutinë: ngrihem në mëngjes, pi kafen dhe filloj e kurdis të gjithë orat. Mund të lë edhe punët e tjera nëse nuk kam mbaruar me kurdisjen”, shpjegon Shpëtimi.

Por, duket se Shpëtimi është i vetmi që ka përjetime të tilla për koleksionin e tij.

“Më erdhi një darkë nipi dhe në orën 12 të natës dëgjova zhurma dhe nipi më thotë që do ikte sepse me gjithë këtë zhurmë nuk flinte dot”, kujton koleksionisti.

Mes orave relikë, koleksionisti ka mbledhur edhe disa radio shumë të vjetra që kanë qarkulluar në Shqipërinë komuniste. Shpëtimi mendon ta shtojë akoma më shumë fondin e objekteve e veçanërisht atë të orave antike.

“Kam disa burime dhe shpresoj që ta shtoj koleksionin tim me ora të tjera. Do e vazhdoj këtë pasion timin deri sat ë kem jetë”, përfundon Shpëtimi.

Top Channel