Fshatrat më të bukur në botë

05/03/2012 17:55

Flitet shumë për qytetet më të bukura të botës, por një revistë britanike solli edhe listën e dhjetë fshatrave më piktoresk të planetit.

Nga brigjet e Afrikës në thellësinë e stepave ruse, këto janë dhjetë vende pothuajse të panjohura, që janë të bekuara me një bukuri të jashtëzakonshme.

10. St. George, Bermuda
Vendi i parë i kolonizuar nga britanikët në kontinentin Amerikan, në vitin 1612, fshati i vogël i St.George krenohet në ditët e sotme me një kishë me vlera të rralla historike, me punishtet shekullore të duhanit e parfumeve dhe me një vijë bregdetare spektakolare.

9. Goreme, Turqi
I ngritur mbi një formacion shkëmbinjsh në një vargmal në Anadollin Qëndor, lokaliteti i Goremes është sot një park kombëtar dhe një tërheqje e rrallë turistike. Në të ndodhen disa prej kishave dhe manastireve më të mirëruajtura që nga shekujt e parë pas Krishtit.

8. Pariangan, Indonezi

Fshatit i qëndron mbi kokë si një kërcënim shekullore vullkani i Malit Merapi, falë të cilit, zona ka fituar një larmi dhe veçanti të tillë natyrore, që e ka shndërruar në një tërheqje të rrallë turistike. Shtëpitë 300-vjeçare janë të ndërtuara shumica me një dru të rrallë, ndërsa pranë fshatit ndodhen banjo termale me veti të shkëlqyera kuruese.

7. Cesky Krumlov, Çeki
Një prej vendbanimeve të para të banuara në Çeki, Cesky Krumlov ka një stil të rrallë gotik, kështjellën e shekullit të XIII që qëndron në mes të fshatit, e rrethuar nga 40 shtëpi dhe pallate me një arkitekturë të rrallë.

6. Eze, Francë
Një Monako e dytë, vetëm se në miniaturë, Eze është një prej perlave të panjohura të Rivierës Franceze. Falë pozicionit të favorshëm gjeografik mbi Nisë, fshati është pushtuar vazhdimisht, duke patur sot gjurmë të rralla historike që nga koha e fenikasve e egjiptianëve përpara lindjes së Krishtit, deri tek kisha baroke dhe kapela e Kryqit të Shenjtë, e shekullit XIV.

5. Wengen, Zvicër
Një perlë alpine, që të bën të kujtosh menjëherë filmat vizatimorë të Hajdit, Wengen është në thelb portretizimi më i mirë i asaj që të vjen ndër mend fillimisht kur mendon Zvicrën. Një qendër turistike që prej vitit 1 800, Wengen tërheq çdo vit me mijëra skiatorë, por është një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar edhe në verë.

4. Shirakauago, Japoni

Një pasuri e mbrojtur nga UNESCO që prej vitit 1995, Shirakaugo njihet për banesat e tij trekëndore. Në qendër të fshatit, spikat kështjella e Ogimaçit, një prej ndërtimeve të para historike në Japoninë mesjetare.

3. Sidi Bou Said, Tunizi
Një fshat ku spikasin vetëm dy ngjyra, e bardha dhe bluja, Sidi Said ndodhet në bregdet dhe ka fituar emrin e Montmartrit tunizian, lidhur me ngjashëmrinë që ka me lagjen e famshme pariziene. Pamja magjepëse e Sidi Bou Said e bënë atë frymëzim të punëve të piktorit zviceran, Paul Klee dhe shkrimtarëve Colette e Somone de Beauvoir.

2. Savoka, Itali

Një fshat historik siçilian, Savoka ndodhet në majën e një kodre midis Mesinës dhe Taorminës. i vjetër 1-mijëvjeçar, fshati krenohet me kishën e rrallë të shën Luçisë, ku Don Korleone i vërtetë lidhi kurorë, sheshin Fosia dhe rrugët karaktestike me kalldrëm.

1. Bibëri, Angli
I ndodhur në një zonë kodrinore në Anglinë perëndimore, Bibëri është përshkruar në shekullin XIX nga shkrimtari Ëilliam Morris si fshati më i bukur në të gjithë Britaninë. Përzgjedhja numër një e revistës, Bibëri krenohet me shtëpi guri të shekullit të XIV, kishën saksone të Shën Mërisë, një mulli shekullore dhe hojet e bletëve të shekullit XVII.

FOTO GALERI
1/10
St. George, Bermuda

Top Channel