Amerikanët, turistët “katastrofë”

05/03/2012 16:45

Amerikanët janë personat më “rrëmujaxhinj” në udhëtimet turistike, dhe këtë madje e mendojnë edhe vetë ata.

Sipas një studimi të fundit në udhëtimet që duhet të jenë për të pushuar, për t’u çlodhur, amerikanët nuk arrijnë të dalin nga vetëvetja. Shpesh humbasin pasaportat, kanë një “tërheqje” të pazakontë për telashe…ose telashet tërhiqen prej tyre, nuk respektojnë oraret, humbin shpesh bagazhet e tyre, shpesh mbeten pa para të thata dhe ndodh që të mos gjejnë as banjon në kohën e duhur.

Këto janë disa nga problemet që shoqërojnë pushimet e amerikanëve, që sipas Mandala Research i shndërron ata në turistët më problematikë në botë.

Në sondazh morën pjesë 5.600 vullnetarë, 4 mijë prej të cilëve amerikanë dhe pjesa tjetër, australianë, kanadezë, irlandezë dhe britanikë. Të intervistuarit u pyetën mbi turizmin dhe personat më problematikë në udhëtime të tilla.

Kanadezët, australianët mendojnë se amerikanët janë turistët më katastrofë, por surpriza është se edhe vetë amerikanët, nga 4 mijë të anketuar, pjesa më e madhe kanë “votuar” për veten e tyre, ndërsa irlandezët mendojnë se turistët më katastrofë janë anglezët, ndërsa këta të fundit votuan për gjermanët.

Top Channel