“Sekretet” e kozmetikës

28/02/2012 19:50

Emisioni i “Pasdites” në “Top-Channel” solli disa këshilla shumë të vlefshme për të gjithë ato vajza apo gra që tualetin e kanë pjesë të përditshme të jetës së tyre.

Një artiste grimi, Linda Treska, e cila prej 15 vitesh jeton në SHBA, ka punuar për firma shumë të njohura kozmetike si “Laura Mersier”, “Ives Saint-Laurent” apo “Estee Lauder”.

Ajo iu përgjigj një pyetje që të gjithë femrat e kanë: Si mund të ndihmojë kozmetika dhe grimi për të eliminuar defekte të fytyrës së tyre?

“Ideja nuk është të vendosësh vetëm tualet dhe të lyhesh, të krijosh shumë ngjyra në fytyrë dhe t’i fshehësh kështu. E rëndësishme është të dalësh përpara pasqyrës dhe të fokusohesh në difektet kryesore. Është e rëndësishme të shohësh fytyrën dhe të kuptosh se cilat janë difektet kryesore, kuptohet duke ndjekur edhe ngjyrat apo tendencat e kohës. Tek Daniela (modelja e parë për Pasditen), do të fokusojmë ngjyrat e errta, duke qenë se i shkojnë me tiparet dhe ngjyrën jeshile të syve.

Tek Lori (një modele e dytë), do të përpiqemi të bëjmë diçka tek sytë, për të krijuar pak hapësirë mes tyre. Lori i ka sytë pak si të futur, prandaj do të mundohemi të krijojmë sa më shumë bardhësi dhe hapje për të krijuar një iluzion që syri është më i dalë. Pastaj do të punojmë pak edhe tek buzët për t’i dhënë më trashje. Por fokusin do e kemi tek dalja e syrit, duke qenë se ai është i futur dhe i errët në qendër, duhen punuar tiparet jashtë tij. E kundërta ndodh për sytë e dalë, në mënyrë që të balancohet fytyra dhe të duket sa më e rregullt në të gjitha anët.

Megi (modelja e tretë), e ka fytyrën pak më të gjerë, prandaj duhet të punojmë në një mënyrë të tillë që t’i japësh një mprehtësi fytyre dhe të bësh mollëzat që të duken sa më lart. Për këtë arsye, furça shkon gjithmonë poshtë, duke evidentuar linjat e fytyrës. Më pas, pamjes i duhet dhënë pak theks dhe kjo bëhet zakonisht me një ngjyrë paksa më të hapur. Në këtë rast mund të përdoret edhe një pudër sysh, që ka një shkëlqim të fortë ose edhe një pudër fytyre. Gjithmonë nisja e tualetit duhet të nisë poshtë kockës së fytyrës. Në këtë modele, buza nuk ka nevojë të theksohet shumë, por mjafton vetëm shkëlqyesi.

Ka persona që i kanë mollëzat shumë të dala dhe në këtë rast është një teknikë krejtësisht e ndryshme pune, pasi duhen krijuar sy sa më të mbyllur dhe ajo zakonisht bëhet edhe me laps, për të krijuar imazhin e një syri sa më të vogël. Syri i varur, nga ana e tij, kërkon gjithmonë penel dhe fokusi, pra hija e tij, duhet të jetë gjithmonë në dalje të syrit, që të krijojë formën e ngritur dhe sa më të lartë, pra ovale”.

Por, kush është Linda Treska. Në emisionin e “Pasdites”, ajo e prezantoi kështu veten: “Unë kam gati 15 vjet punë që kam filluar dhe vazhdoj të jem e përfshirë në biznesin e kozmetikës dhe të modës. Fillimisht kam filluar si “make-up artist” dhe për gjashtë vjet radhazi jam marrë me këtë punë. Kam punuar për disa linja shumë të rëndësishme në botë, si  “Laura Mersier”, “Ives Saint-Laurent” apo “Estee Lauder”. Kam bërë shoë dhe pasarela në Nju Jork, ndërsa jam marrë edhe me anën fotografike. Kam punuar me shumë fotografë, deri sa u futa në pjesën më profesionale të karrierës sime, që ishte zhvillimi dhe përgatitja e produkteve kozmetike”.

Top Channel