Romët, KE kritikon Shqipërinë

27/02/2012 20:30

Romët përballen me racizëm të plotë në Europën e sotme. Sipas raportit të publikuar sot nga Këshilli i Evropës, komuniteti më i madh e më i dobët minoritar i kontinentit të vjetër është më i prapambetur se të tjerët për edukimin, punësimin, të drejtën e një banese të hijshme dhe kujdesin shëndetësor.

Jeta mesatare e kësaj popullsie është shkurtuar, ndërsa vdekshmëria e të miturve është rritur. Komisioneri i të Drejtave të Njeriut, Thomas Hammarberg, ka studiuar situatën e tyre në 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Shqipëria përmendet disa herë në këtë raport.

“Në Shqipëri, për shembull, fëmijëve romë u është refuzuar pranimi në shkollë për mungesë të vaksinimit, një çështje që autoritetet thonë se nuk e kanë zgjidhur ende plotësisht”, thuhet në raport, ku për vendin tonë vijohet: “Në Shqipëri, pothuajse 1/3 e vajzave rome në moshën e shkollës fillore nuk edukohen, krahasuar me 19 % të djemve”.

Dokumenti vëren gjithashtu se, shpërngulje të dhunshme ndaj romëve ka patur prej vitit 2008 në Shqipëri, Bullgari, Çeki, Francë, Hungari, Itali, Rumani, Rusi, Serbi, Sllovaki, IRJM, e Turqi.

“Në Shqipëri, shumë romë jetojnë në zona me shërbime tepër të kufizuara të kujdesit shëndetësor”, thotë raporti, sipas të cilit, “të tillë njerëz nuk kanë ekzistencë administrative. Ky problem dëmton mijëra njerëz, veçanërisht në Shqipëri, Bullgari, Rumani, dhe në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik”.

“OSBE raporton se në Shqipëri romët janë shpesh të paregjistruar si banues vendas, sepse ata dështojnë, apo refuzojnë në mënyrë të vazhdueshme t’i nënshtrohen regjistrimit të nevojshëm në gjendjen civile. Sipas raporteve, romët në Shqipëri u privuan në mënyrë disproporcionale nga e drejta e votës në vitin 2009, për shkak të pengesave financiare për marrjen e kartës së identitetit dhe nga masat kushtëzuese për regjistrimin e votuesve”, nënvizon dokument.

Në raport theksohet gjithashtu se Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës i ka rekomanduar qeverisë së Shqipërisë që “të marrë veprime urgjente për të korrigjuar mungesën e regjistrimit civil të shumë romëve, përfshirë nëpërmjet bërjes së një proçedure më të thjeshtë regjistrimi dhe duke zhvilluar masa për rritjen e ndërgjegjshmërisë mbi rëndësinë e një regjistrimi të tillë”.

Raporti cakton një numër hapash konkretë që duhen ndjekur nga qeveritë e përmendura, siç janë trajnimet e policëve për të parandaluar sjelljen e keqe; heqjen e racizmit nga shkollat dhe përmirësimin e cilësisë së arsimimit për romët.

Hammamberg ka rekomanduar edhe krijimin e një komisioni europian mbi të vërtetën, për të zbardhur faktet historike mbi masakrat e bëra ndaj romëve.

Top Channel