“Twitter” vajton “vdekjen” e Mr. Bean

27/02/2012 12:50

Një thashethem në internet mbi vdekjen e aktorit britanik Rowan Atkinson, i njohur gjerësisht si “Mister Bean”, u shndërrua në “epidemik” në “Twitter” mëngjesin e së hënës dhe tronditi me qindra mijëra fansa të tij në të gjithë botën.

Zëri mbi vdekjen e Atkinson u bë aq i besueshëm, sa që edhe enciklopedia online “Wikipedia”, për një periudhë prej disa orësh, vendosi në profilin e aktorit datën 27 shkurt si ditën e vdekjes.

Me dhjetëra mijëra persona në “Twitter” ngushëlluan aktorin në faqen e tij në “Twitter”. E gjithë kjo zhurmë u krijua nga një postim i vetëm i hedhur në rrjet nga një përdorues në Filipine.

Micheal Robert Meras postoi në profilin e tij në “Twitter”, ku kishte 753 ndjekës, statusin: “Lajme të reja nga Britania. Rowan Sebastian Atkinson (Mr. Bean) ndërroi jetë këtë mbrëmje”.

Vetëm dy orë më pas, i njëjti përdorues postoi një status të ri. “Zot i Madh! Isha unë ai që nisa zërat për Rowan Atkinson. Ishte vetëm një shaka”.

Më pas, ai kërkoi falje edhe për një herë të dytë. “Po largohem nga rrjeti. Edhe një herë më vjen keq. Shakaja për Atkinson ishte vetëm një shaka. Më vjen keq për të gjitha, nuk mendoja se statusi do të shndërrohej në epidemik”.

Top Channel