Lind qëllimisht fëmijën para kohe

16/02/2012 00:00

Dashuria për bashkëshortin ose bashkëshorten mund të bëjë që njerëz të
ndryshëm të marrin vendime kurajoze apo të bëjnë zgjedhje ekstreme.

Një grua amerikane vendosi që të sillte në jetë vajzën e saj, dy javë përpara parashikimit, me qëllim që bashkëshorti i saj, babai i fëmijës, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ndodhej në fazën terminale, ta mbante qoftë edhe për pak momente foshnjën, përpara se të largohej njëherë e përgjithmonë nga kjo jetë.

Tani e vogla Savanah Aulger, fle qetësisht në shtratin e saj pa e ditur se sa dhimbje ka patur përqark në momentet e para të jetës.

Disa muaj më parë, babai Mark mendoi se kishte fituar betejën e tij kundër kancerit. Ajo që nuk dinte ishte se mushkëritë e tij ishin shkatërruar pas 8 muajsh kimio-terapi. Ai nuk arrinte të merrte më oksigjen dhe diagnoza e shpallur në janar të këtij viti ishte fibrozë polmonare. I mbesnin vetëm disa ditë jetë, ndaj bashkëshortja e tij Diane, në shtatzaninë e saj të pestë vendosi që të lindte vajzën dy javë përpara, në mënyrë që t’i lejonte bashkëshortit Mark që të shihte vajzën, të paktën vetëm njëherë.

“Duhet të ishte ai personi i parë që të përqafonte Savanah-ën. Sapo lindi, ai e mbajti në krahë për 45 minuta”, tregon Diane. Disa ditë më vonë, Mark përfundoi në koma. Ishte vetë Diane, e cila ndodhej edhe ajo në spital për shkak të lindjes, që iu bëri me dije katër fëmijëve të tjerë se i ati po vdiste.

Mark vdiq ndërsa mbante në krahë të voglën Savanah. Kur i shoqi ishte ende në koma, Diane e kuptoi se rrahjet kardiake të Markut po ngadalësoheshin. Mori vajzën dhe e vendosi në krahët e Markut, deri në momentin që ai ndali së marruri frymë.

Top Channel