Luanesha vret kujdestarin e saj

14/02/2012 16:20

Një luaneshë sulmoi dhe vrau mëngjesin e së martës kujdestarin e saj 65-vjeçar në një kopësht zoologjik në Afrikën e Jugut.

Joe Ramanata, i cili punonte si kujdestar i kafshëve të egra prej më shumë se 40 vitesh, u shpall i vdekur në mbërritjen e tij në spital, pasi kafshimet e luaneshës 11-vjeçare ishin të thella dhe të shumta.

”Ai ishte duke pastruar kafazin ose duke ushqyer luanët, kur u sulmua në mënyrë fatale”, u shpreh zëdhënësi i kopshti zoologjik, Letta Madlala.

Luanesha u godit me qetësues pas ngjarjes. Bordi i drejtuesve do të mblidhet për të vendosur nëse duhet vrarë ose jo kafsha.

Megjithatë, një burim tjetër brenda kopshtit zoologjik e konsideroi luaneshën si “të pafajshme”, duke ia atribuar vdekjen e kujdestarit një gabimi njerëzor, pasi ai evidentoi disa shkelje dhe mosmarrjen e masave të nevojshme të sigurisë përpara hyrjes së 65-vjeçarit në kafaz.

Ndonëse njeriu mund të formojë një lidhje “miqësore” me kafshë të egra si luani, tigri apo orkat, ekspertët thonë se ato vazhdojnë të mbeten të paparashikueshme, pasi asnjëherë nuk mund të zbuten tërësisht.

Top Channel