Grupi i aventurierëve në malet shqiptare

08/02/2012 19:15

Sapo zbardhi dita, një grup prej 6 vetash u nis për një shëtitje me rathë bore në qafën e Mancekut të Shën Mërisë, vetëm 60 kilometra larg Tiranës.

Ngricat, terrenet e vështira dhe bora mbi 1m nuk na lejuan të shkonim me makinë më larg se Fekeni, kështu që shëtitja e ekspedizës filloi këtu.

“Duhen rathët e borës, sepse janë të domosdoshme për ecjen. Dhëmbëzat ngulen me borën dhe bëjnë që të mos rrëshqasësh edhe kur është akull, ndërsa pjesa e rrathëve me lëkurën bën që pesha e trupit të përhapet në mënyrë të njëjtë dhe të mos zhytesh në dëborë“, shprehet një prej djemve të ekspeditës.

Ndonëse është ftohtë, pas 30 minutash grupi nis të heqë xhupat. E lëvizura i bën të ndiejnë vapë. “Në sfond mund të shihni malin e Tomorit, pasi në vijë ajrore jemi me të vërtetë afër. Duhen edhe dy orë për të shkuar në Qafën e Macekut, ku duket pejsazhi i Malit me Gropa”, shton Genti, një tjetër antar i grupit të aventurierëve.

Megjithatë, temperaturat nisën të uleshin dhe terreni u bë gjithmonë e më i vështirë, veçanërisht për ata që e kishin eksperiencën e tyre të parë.

“Më pëlqeu që isha aktive, ndonëse kam frikë nga lartësia dhe disa zona ishin me të vërtetë të rrezikshme”, theksoi një antare e huaj e ekspeditës. “Ndihem shumë mirë, por nuk dua të ngjitem më lart”, plotësoi një nga vajzat e tjera.

Për të pushuar disa minuta dhe për t’u mbrojtur nga stuhia që filloi, një stan i vogël atypari është shpëtimi më i mirë për momentin.

Pas 5 orësh ecje, grupi rikthehet përsëri tek mjetet e tyre për të marrë rrugën drejt Tiranës. Kështu, kjo ishte një ditë aventure e improvizuar, në malet shqiptare”.

Top Channel