Shtëpitë botuese, libra për Preshevën

07/02/2012 00:00

Disa botues në Tiranë iu përgjigjen ftesës së Ministrisë së Jashtme për të ndihmuar me tekste nxënesit shqiptarë të Luginës së Preshevës.

Gjatë një takimi të mbajtur në Ministrinë e Punëve të Jashtme ditën e martë, ministri Haxhinasto falenderoi shtëpitë botuese për përgjigjen e menjëhershme që dhanë duke sjellë vullnetarisht libra dhe tekste shkollore për nxënësit e Preshevës.

Përgjigja e shtëpive botuese vjen menjëherë pas një takimi që pati disa ditë më parë Ministri i Punëve të Jashtme me përfaqësues të Luginës së Preshevës.

“Ne realizojmë një kontribut shumë të madh ndaj nxënësve shqiptarë, kryesisht në Luginën e Preshevës. Do ta vlerësoja jashtëzakonisht këtë dhuratë bujare nga ana juaj për këta nxënës, pasi kërkesat janë të vazhdueshme dhe kontributi dhe cilësia e librave është vërtet shumë domethënëse dhe shumë e vlefshme”, deklaroi ministri Haxhinasto.

“Ky është vetëm një fillim një gjest simbolik të cilin ne së bashku me MPJ, me MTKRS apo dhe me institucione të tjera, duhet të ndërmarrim veprime, organizimi, aktivitete të ndryshme, të përbashkëta me një dëshirë të mirë dhe vullnet për bashkëpunim”, deklaruan përfaqësues të shtëpive botuese në takim.

Top Channel