“Unë dua të bëhem këngëtare, unë dua të bëhem mjeke, unë dua të bëhem futbollist, unë dua të bëhem arkitekte…”

Janë në hapat e parë të jetës dhe kanë shumë ëndrra për profesionin që duan të kenë kur të rriten.

Ndonjëherë fëmijët kanë dëshirë të trashëgojnë profesionin e prindërve, por ndonjëherë janë prindërit ata që duan t’ia lenë trashëgimi fëmijëve profesionin e tyre.

“Dua të bëhem këngëtare ose biznesmene si prindërit e mi”, shprehet një vajzë.

Kurse disa vogëlushë, duan të ndryshojnë botën e t’i bëjnë mirë njerëzve: “Dua të bëhem shkencëtar që të shpik ilaçe, të shëroj njerëzit e t’i bëj më të rinj”.
“Dua të bëhem fizioterapist që të shëroj njerëzit dhe të ndihmoj edhe vëllain që është sëmurë nga epilepsia.”

Të gjithëve na ka ndodhur shpesh me shokët e shoqet e klasës apo të pallatit të luajmë shtëpiash, shkollash apo dhe doktorësh, por sa prej nesh kanë arritur të kenë profesionin që kanë ëndërruar në vegjëli?

Ndodh që me rritjen në moshë të ndryshojnë edhe dëshirat tona për profesionin dhe të ardhmen. Se çfarë do të jenë këta fëmijë në të ardhmen, mbetet të na e tregojë koha.

Top Channel