Përbuzja e koleksionit të ikonave

06/02/2012 21:30

Një Shqipëri pa kujtesë, pa të shkuar, është ajo që rrezikon të shndërrohet, duke humbur një nga një monumentet historike, që kudo po shkatërrohen, vidhen, rrënohen, duke rrezikuar të marrin pas vetes rrënjët shekullore të një kombi të tërë.

Një hartë e zverdhur thuajse formale, me monumente që sot ekzistojnë vetëm në letër, në atë letër ku emrat janë hedhur kohë më parë, por ku sot u kanë mbetur vetëm gërmadhat.

Kisha, kështjella dhe qytete antike të gjunjëzuara, të braktisura e të lëna në mëshirë të fatit, si për të fshehur çdo gjurmë për krimin e ndodhur me historinë e trashëgimisë.

Manastrirët shekullorë të Gjirokastrës, i zhytur mes ferrave, nga ai i Spillesë, kisha e Eremitëve në vargmanalin e Lunxhëerisë, manastriri Goranxisë, vjedhur dhjetëra herë, kisha e Kurjanit në Fier, diga 2-mijë vjeçare e Krapsit, kisha e Shën Gjergjit në Strum, të gjithë të rënuar.

Për të vazhduar në Libohovë me kalanë e famshme të Shanishesë, Shën Triadhën në Gjirokastër, qytetin antik të Amantias ku po zhduket amfiteatri, Zgërdhesh, qyteti i Finiq, kalaja e Drishtit, e deri në Dajt, Brar, Lezhë, Borsh, tradhëgimia kulturore nuk është e nuk duhet të jetë thjeshtë një çështje fondesh e dosje parash.

Pas vlerave të mëdha njerëzore e intelektuale, jeton një koleksionist korçar, që nuk ka grabitur trashëgiminë si të tjerët, por e ka ruajtur atë. Gjergj Dhimo ruan në koleksionin e tij mbi 150 ikona, vepra të mjeshtrave të mëdhenj si Onufri, Shpataraku, Selenica, Çetire etj. Të regjistruara me certifikatë dhe dokumentacion të plotë… fryt i një pasioni 20-vjeçar që sot dergjet.

“Edhe këtë muze të improvizuar që kam krijuar, duan të ma prishin dhe këtë duan ta bëjnë njerëz të veshur me pushtet shumë të lartë”, akuzon Dhimo.

Premtimi për një vend për të hapur muzeun e tij, një vend dhe asgjë më shumë është aq i vjetër sa edhe pasioni i koleksionit… i larguar nga Korça ku i dogjën shtëpinë, koleksionisti tregon pa droje propozimet që i kanë ardhur nga qarqe ekstremiste greke e maqedonase për të shitur koleksionin e tij.

“Një prift antishqiptar, më erdhi dhe më ofroi strehim dhe para në Greqi. Më ofroi të ndryshoja emrin, të më caktohej një banesë dhe pension, për të dërguar atje koleksionin. Nuk kam pranuar as nga pala maqedonase, nga një grup i diasporës serbe në Australi, që më ofruan para për të ngritur muzeun në Zaroshkë të Prespës, në zonën minoritare. Edhe këtë e kam refuzuar dhe e kam raportuar në Shërbimin Informativ të Shtetit”, rrëfen peripecitë e tij Dhimo.

Pasi refuzoi muzen e Vorio Epirit, udhëtoi në Tiranë me shpresën se diçka mund të ndryshojë… Vetëm iluzion, realiteti i njëjtë, propozimet apo kërcënimet nga emisarët, forcohen edhe më shumë. Ikonat përfundojnë në depo, koleksioni në rrezik.

“Më erdhën njerëz që pretendonin se ishin të dërguar të Berishës dhe ofruan të më ndihmonin të ngrija një muze, nëse do të jepja disa ikona dhuratë. Nuk pranova”, tregon Dhimo.

Mosebesues për komanduesit e vërtertë të këtij presioni, Gjergji dërgoi një dosje të hartuar deri në detaje për Kryeministrin. E teksa qeveria paralajmëron dhënien me koncension të kalave, koleksionisti nuk ka marrë ende përgjigje për kërkesën e tij për vetëm dhjetëra metra katror për të ekspozuar ikonat.

Monumentet po shkatërrohen dita ditës dhe pa dyshim, nxjerrja me koncension, transformimi i tyre në objekte tregëtare, në kafene, restorante dhe hotele nuk është e para zgjidhje që duhet të na vijë në mend.

Në vende të tjera, debati s’ka nisur nga hotelet, por nga detyrimet e administruesve të rinj, për t’i mundësuar arkeologëve gërmime të reja, për të zbuluar shekuj identiteti të fshehur në themle, porn në Shqipëri, edhe këtu gjithçka nis përmbysur.

I japim lehtë pasuritë tona kombëtare, por nuk kemi kohë për një muze të vlerave të mëdha, pikërisht kur trumbetohen aktivitetet e 100-vjetorit të pavarësisë. Gjergj Dhimo mund të ishte i pasur, por ai jeton në një apartament të vogël, në rrugët e baltosura të periferisë së Tirnaës, në Don Bosko. Fatkeqësisht, nuk janë të gjithë si ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA