Brazil, avionët thyejnë xhamat e Gjykatës së Lartë

03/02/2012 10:35

Dy pilotë brazilianë të forcave ajrore janë në telashe të mëdha pasi kanë fluturuar ulët me një shpejtësi supersonike dhe si pasojë kanë thyer të gjithë xhamat e Gjykatës së Lartë të Brazilit.

Vala e krijuar nga shpejtësia shumë e madhe e dy avionëve të fabrikimit francez Mirage 2000 ka shkatërruar tërësisht fasadën e xhamit të Supremo Tribunal Federal në Brazilia.

Avionët ushtarakë kishin marrë pjesë në një ceremoni disa minuta para incidentit nga i cili fatmirësisht nuk pati asnjë të lënduar.

Marcelo Kanitz Damasceno, shefi i Qendrës Sociale të Komunikimit të Forcave Ajrore, tha se ushtria po heton incidentin dhe se do të rimbursohen kostot e dëmeve.

Avionët Mirage 2000 janë të famshëm për shpejtësinë e jashtëzakonshme në vijë të drejtë dhe lëvizjet në rreth me shpejtësi të madhe.

Top Channel