20 udhëtarë të një linje autobuzash nga Tirana për në Sarandë janë bërë protagonistë të një situate të pazakontë.

Reshjet e dendura të dëborës kanë bërë të ndërpritet në mes udhëtimi i tyre. Ata janë bllokuar në fshatin Jorgucat të Sarandës, në fillim të aksit të njohur si Qafa e Muzinës.

Ngjarja ka ndodhur në orën 3.30 të mëngjesit të ditës së enjte. Autobuzi me pasagjerë i nisur nga Tirana në orën 22.00 të mbrëmjes së mërkurë është detyruar të ndalet nga policia, e cila ka parë të pamundur kalimin më tej të automjetit.

Fatkeqësisht ata janë detyruar të kalojnë gjithë pjesën e mbetur të natës në rrugë, në mjetin e tyre të transportit. Orët e tyre të ankthit kanë marrë fund vetëm në orën 12.30 të ditës së sotme, kur është bërë u mundur zhbllokimi i rrugës dhe rinisja e autobuzit për në destinacion, për të përfunduar një udhëtim i cili praktikisht ka zgjatur 19 orë.

“Vështirësia nisi që në Tepelenë, edhe me zinxhirë ishte vështirë të ecje. Më pas na ndaloi policia sepse vazhdimi ishte i pamundur. Fatmirësisht nuk pati panik ose probleme shëndetësore nga pasagjerët”, shprehet shoferi i autobusit në një lidhje telefonike për emisionin ‘Pasdite në Top Channel’.

Për fat të mirë pasagjerët kanë qenë kryesisht në moshë të re dhe nuk ka pasur emergjenca shëndetësore apo nevoja jetësore.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel