Shet kompaninë, ndan fitimet me punonjësit

01/02/2012 16:20

Pronari i një kompanie autobuzësh në Australi u shndërrua në një kryelajm të ditës, pasi vendosi të ndante fitimet e realizuara nga shitja e kompanisë me punëtorët e tij.

Siç raportuan mediat australiane, Ken Grenda u shpërndau punonjësve një shpërblim të përgjithshëm prej 13 milion eurosh, me bonuset që variuan nga 6 mijë euro për më të rinjtë, deri në 80 mijë euro për punonjësit më besnikë.

66-vjeçari, pronar i kompanisë me qendër në Melburn, vendosi të dilte në “pension” dhe shiti kompaninë tek një rival në treg për 400 milion dollarë australianë, rreth 320 milionë euro.

”Disa persona kanë punuar prej 40 vitesh në kompaninë time dhe kanë patur një rol kyç në zgjerimin e saj. Kjo ishte më e pakta që mund të bëja”, u shpreh Granda në media. ”Një biznes mund të ecë mirë vetëm nëse njerëzit e tij janë fantastikë”.

Punëtorët, të informuar me vonesë për zemërgjerësinë e pronarit të tyre, kishin telefonuar bankat për të pyetur se mos ishte bërë ndonjë gabim në llogaritë e tyre. Me gjestin e tij, Granda është etiketuar menjëherë nga mediat australiane si “pronari më zemërgjerë” i vendit.

Top Channel